Mënyra më e sigurt dhe më e thjeshtë për të shkarkuar Shfletuesin Tor është nga sajti zyrtar i Projektit Tor, te projektit: https://www.torproject.org/download.
Lidhja juaj me sajtin do të bëhet e sigurt duke përdorur HTTPS, çka e bën shumë më të vështirë që ndokush të fusë hundët në të.
Sidoqoftë, mund të qëllojë që të mos hyni dot në sajtin e Projektit Tor: për shembull, mund të jetë i bllokuar në rrjetin tuaj.
Nëse ndodh kjo, mund të përdorni një nga metodat alternative të shkarkimit të radhitura më poshtë:
PASQYRA
Nëse s’jeni në gjendje të shkarkoni Shfletuesin Tor nga sajti zyrtar i Projektit Tor, mundeni atëherë të provoni shkarkimin e tij prej një nga pasqyrat tona zyrtare, përmes EFF ose Calyx Institute.
GetTor
GetTor është një shërbim që u përgjigjet në mënyrë të automatizuar mesazheve, me lidhje për te versioni më i ri i Shfletuesit Tor, strehuar në një larmi vendndodhjesh, bie fjala, Dropbox, Google Drive dhe GitHub.
PËR TË PËRDORUR GETTOR-IN PËRMES EMAIL-I
Dërgoni një email te gettor@torproject.org dhe te lënda e mesazhit shkruani vetëm “windows”, “osx”, ose “linux”, (pa thonjëzat), sipas sistemit tuaj operativ.
Për shembull, për të marrë lidhje shkarkimi të Shfletuesit Tor për Windows, dërgoni një email te gettor@torproject.org me fjalën “windows” në të.
GetTor-i do të përgjigjet me një email që përmban lidhje prej të cilave mund të shkarkoni paketën e Shfletuesit Tor, nënshkrimin kriptografik (i nevojshëm për verifikimin e shkarkimit), shenjat e gishtit për kyçin e përdorur për të krijuar nënshkrimin dhe checksum-in e paketës. Mund t’ju ofrohet mundësia për të zgjedhur një program për “32-bit” ose “64-bit”: kjo varet nga modeli i kompjuterit që po përdorni.
SI TË PËRDORET GETTOR PËRMES TELEGRAM-IT
Dërgoni një mesazh te @GetTor_Bot në Telegram.