Shfletuesi Tor përdor rrjetin Tor për të mbrojtur privatësinë dhe anonimitetin tuaj. Përdorimi i shfletuesit Tor ka dy veti kryesore:
Furnizuesi juaj i shërbimit internet dhe cilido që vëzhgon lokalisht lidhjen tuaj, s’do të jetë në gjendje të ndjekë veprimtarinë tuaj në internet, përfshi emrat dhe adresat e sajteve që vizitoni.
Operatorët e sajteve dhe shërbimeve që përdorni dhe cilido që i vëzhgon ata, do të shohin një lidhje që vjen prej rrjetit Tor, në vend se prej adresë tuaj të njëmendtë Internet (IP) dhe s’do ta dinë se cili jeni, veç në e identifikofshi shprehimisht veten tuaj.
Përveç kësaj, shfletuesi Tor është i konceptuar t’u parandalojë sajteve të krijojnë “shenja gishtash” ose t’ju identifikojnë bazuar në formësimin tuaj të shfletuesit.
Si parazgjedhje, Shfletuesi Tor nuk mban ndonjë historik shfletimi. Cookie-t janë të vlefshme vetëm për një sesion të vetëm (deri sa të dilet nga Shfletuesi Tor, ose të kërkohet një Identitet i Ri).
SI FUNKSIONON TOR-I
Tor-i është një rrjet tunelesh virtualë që ju lejon të përmirësoni privatësinë dhe sigurinë tuaj në Internet. Tor-i funksionon duke e dërguar trafikun tuaj përmes tre shërbyesish kuturu (të njohur edhe si rele) në rrjetin Tor. Releja e fundit te qarku (“releja dalje”) mandej e dërgon trafikun drejt Internetit publik.
Figura më sipër ilustron një përdorues që shfleton në sajte të ndryshëm përmes Tor-i. Kompjuterat e gjelbër në mes përfaqësojnë rele në rrjetin Tor, ndërsa tre kyçet përfaqësojnë shtresa fshehtëzimi mes përdoruesit dhe secilës rele.